Kryendeshja e fazës së “nokautit” të Ligës së Europës është ndoshta Milan-Arsenal, dy nga skuadrat më të forta dhe me emër që kanë qenë në shortin e hedhur ditën e sotme për 1/8 finale të këtij kompeticioni europian për klubet. Dora e Eric Abidal ka tërhequr goglat dhe falë tyre i ka vënë përballë kuqezinjtë e Milanos dhe “Topçinjtë” e Londrës. Të dyja këto klube kanë përjetuar faza më të mira dhe në të vërtetë janë matur në “udhëkryqe” të ndryshme të Champions-it. Tani ato kërkojnë të rimarrin prestigjin europian përmes garës së dytë kontinentale, për nga rëndësia. Formacionet e të dyja skuadrave vlerësohen në shifrën e 832 milionë eurove (sipas portalit “transfermarkt”). 340 milionë euro vlerësohen kuqezinjtë, ndërsa 492 milionë euro londinezët.
Lojtarët më të shtrenjtë janë në radhët e Arsenalit: Aubameyang (65 milionë euro), edhe pse nuk mund të luajë në “Europa League”, Lacazette (55) dhe Özil (50). Në rastin e Milanit kryeson Donnarrumma (40 milionë euro), i ndjekur nga Bonnucci (35), Suso, Romagnoli dhe André Silva (nga 25). Sa i takon anës sportive, Milani është transformuar nga dora e Gattuso. Skuadra e tij ka 11 ndeshje pa humbje, pas triumfit të fundit ndaj Sampdoria, në Seria A, dhe e fundit kundër Ludogorets, në “Europa League”. Dinamika është e tillë: gjashtë fitore në tetë ndeshje dhe në kërkim të Europës. Arsenali, nga ana e tij, është gjithashtu jashtë Ligës së Kampionëve. Mban vendin e gjashtë në Premier League, me shtatë pikë larg vendit të pestë, ku ndodhet Tottenham.