Bernard Shaland do të jetë trajneri i ri i përfaqësueses së Kosovës. Lajmi është shpërndarë sot në mediat zvicerane të cilat insistojnë se ky teknik do të jetë ai që do të drejtojë në Ligën e Kombeve përfaqësuesen, duke synuar ta kualifikojë në Euro 2020.
Sipas “Blick”, 66-vjeçari do të zyrtarizohet në ditët e ardhshme në stolin e përfaqësueses për të nisur punën konkrete me ciklin e ri të lojtarëve që do të synojnë pjesëmarrjen për herë të parë në një aktivitet madhor.
Shaland ka drejtuar ekipe me emër në kampionatin zviceran, por që prej vitit 2015 kishte mbetur pa punë, duke qenë thjesht një skaut i Bazelit. Fajin për këtë e kishte… Shqipëria.
Shaland ishte trajneri i Armenisë në kualifikueset e Euro 2016, në të njëjtin grup me kuqezinjtë që drejtoheshin nga De Biazi. Një seri rezultatesh negative kulmoi me humbjen 2-1 në “Elbasan Arena” më 29 mars 2015, falë përmbysjes me golat e Mavrajt dhe Gashit. Një ditë më vonë, Shaland u shkarkua nga puna nga Federata Armene e Futbollit. Kosova do të jetë një tjetër mundësi për të që të ringjallë karrierën e cila mori një goditje të rëndë pas dështimit në Shqipëri, pasi emri i tij qarkullio në shumë klube por askush nuk e punësoi edhe pse kishte nëj CV për t’u admiruar.