Tre javë pas transferimit te Levante në La Ligan spanjolle, Armando Sadiku ka debutuar me skuadrën e tij, ku luan edhe shqiptari tjetër nga Maqedonia, Enis Bardhi. Pas rikuperimit të plotë fizik, sulmuesi shqiptar ishte titullar në miqësoren që skuadra valenciane barazoi 1-1 përballë rusëve të UFA-s.
Sulmuesi elbasanas ishte protagonist në këtë ndeshje, sepse pas avantazhit të shpejt të klubit të Premier-ligës ruse me Fatain, Levante u përgjigj menjëherë, me topin e rikuperuar nga Sadiku, që dha asistin e golit të barazimit nga Roger.
Miqësorja e mesjavës ishte ndeshja e parë që bomberi shqiptar luajti me Levanten dhe me paraqitjen e bërë, i dha sinjale të rëndësishme trajnerit Juan Ramón López Muñiz, se tashmë është gati që të debutojë edhe në ndeshje zyrtare.