E ardhmja e Raheem Sterling te Manchester City është vënë në dyshim pasi bisedimet me rinovimin e kontratës nuk kanë sjellë asgjë të re. Futbollisti i kombëtares së Anglisë ka qenë një nga lojtarët më të mirë në këtë sezon duke shënuar 20 gola për ekipin e Pep Guardiola. Gjithsesi, City ende nuk ia ka rinovuar kontratën që po futet në sezonin e dytë nga fundi. Aktualisht, Sterling merr 200 mijë euro në javë, por pret një rritje të majme, pikërisht si rrjedhojë e formës që po paraqet.
Fakti që nuk e ka rinovuar kontratën ka bërë që klubet më të rëndësishme të Europës të interesohen për Sterling. Krahas të gjitha skuadrave pretendente në Premier League edhe trajneri i Real Madrid ka folur me admirim për të. 23-vjeçari ka qenë një nga futbollistët më të mirë te City në këtë sezon, por ndryshe nga Kevin De Bruyne, Fernandinho dhe David Silva, ai ende nuk ka rinovuar marrëveshjen që skadon në qershor 2021, por pas dy sezonesh do të jetë i lirë të firmosë me kosto zero.