Sot në mbrëmje zhvillohen dy ndeshjet e radhës në kuadër të fazës së 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve Europian. Ndeshja më interesante pa dyshim që është ajo e Londarës, ku vendasit e Çelzit do të mirëpresin Barcelonën, një kundërshtar ky që ju rikthen kujtime të hidhura.
Të gjithë e kujtojnë atë ndeshje të sezonit 2008/2009, kur një gol i Iniestës në kohën shtesë bëri që Çelzi të eliminohet, për më tepër se në atë ndeshje skuadrës angleze iu mohuan dy penalti. Ishte ajo një ndeshje e mbushur me plotë polemika për shkak të gjykimit dhe tani Çelzi ka shansin e hakmarrjes, edhe pse e ka shumë të vështirë.
Në ndeshjen tjetër, Bajerni i Munihut në “Alianc Arena” do të mirëpret kampionët e Beshiktashit, të cilët nuk po kalojnë momente të mira këtë edicion në kampionatin turk. “Bavarezët” shihen si favorit absolut, pavarësisht se drejtuesit e tyre kanë vlerësuar maksimalisht ekipin turk, që jo rastësisht ka arritur deri në këtë fazë. Për më tepër sonte në “Alianc Arena” pritet që Beshiktashi të ketë një përkrahje të madhe nga ana e tifozëve turq, të cilët do të udhëtojnë për në Gjermani, por që njëkohësisht jetojnë në shtetin gjerman.