FA Kupa angleze solli edhe surprizën e rradhës, e cila do të mbahet mend me vite. Skuadra e divizionit të tretë Uigani mundi Mançester Sitin e Pep Guardiolas, duke ju dhënë fund shpresave të liderit aktual në Premierligë që të mbyll sezonin aktual me 4 trofe.
“Pasanikët” janë shumë pranë titullit kampion në Angli, do të luajnë në finale të Liga Kupës angleze përballë Arsenalit, ndërsa në Ligën e Kampionëve janë në rrugë të mirë që të luajnë në çerekfinale.
Irlando veriori Uil Grig solli gëzim të madh për Uiganin me golin e realizuar në minutën e 79-të. Ishte ky goli i 7-të gjatë këtij sezoni në kuadër të turneut të sivjetshëm të FA Kupës, ndërsa tifozët e Uiganit madje kishin përgatitur një këngë për të, e cila u bë hit gjatë europianit të vitit 2016-të.
Grig gjatë shënimit të golit shfrytëzoi gabimin e Uoker, duke shënuar në rrjetën e Klaudio Bravo.
Për disfatën e Sitit kishte edhe një fajtor tjetër, Fabian Delf. Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq kah fundi i pjesës së parë, ndërsa edhe përkundër këtij fakti Siti dominoi ndeshjen, mirëpo duke mos arritur që të shënojë asnjë gol. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola krijuan shumë raste para portës së Uiganit, mirëpo vendasit pritën rastin e tyre, të cilën e shfrytëzuan në maksimum.
Vlen të ceket se Uigani gjatë këtij sezoni në kuadër të FA Kupës eliminoi edhe dy skuadra tjera elitare, Kristal Pallasin dhe Burnmautin. Në çerekfinale skuadra e tretë në “League One” do të përballet me Sautemptonin.
Rikujtojmë kjo është hera e tretë që Uigani mund Mançester Sitin në kuadër të FA Kupës, përfshirë këtu edhe ndeshjen finale të vitit 2013-të.