Ish-futbollisti i njohur i kombëtares braziliane të futbollit, Zhuninjo Pernambukano është kërcënuar me vdekje për shkak se ka kritikuar ashpër talentin e ri brazilian, Vinicius, i cili ka nënshkruar parakontratë me gjigandët e Realit të Madridit.
Ish futbollisti i Lionit që mbahet mend për goditjet e pabesueshme të dënimit, gjatë komentit të ndeshjes Flamengo-Botafogo, kritikoi festimin e golit nga ana e Vinicius, duke thënë se ishte mungesë respekti ndaj kundërshtarit.
“Duhet respektuar ai që humb. Nëse është aq burrë sa për të bërë gjestin e qaramanit, duhet të bëhet burrë edhe për të folur para mediave. Nuk shoh askënd te Reali, skuadra e tij e ardhshme, që të bëjë gjeste të tilla. Nuk ishte e nevojshme ajo sjellje, aq më shumë me rezultatin 3”1”, tha Zhuninjo për “Globo TV”.
Por ka qenë pikërisht kjo deklaratë e tij që ka shtyrë disa persona për të kërcënuar atë në “Tëitter”.
“Plehrë, do të të vras o bir k…”, – ishte njëri prej mesazheve kërcënuese dedikuar Zhuninjos.
Ishte ky një nga komentet e bëra në adresë të ish yllit brazilian, i cili i ka publikuar të njëjtat, duke njoftuar njëkohësisht se heqë dorë nga komenti i finales Flamengo-Boavista.