Shkolla e futbollit Saraj, gjenerata 2007 mori pjesë në turneun e organizuar me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të mbajtur në Podujevë.
Në këtë turne ku morën pjesë ekipe nga Maqedonia dhe Kosova, djelmoshat e Shkollës së Futbollit-Saraj dolën fitues të turneut, dhe morën Kupën e Pavarësisë.
Në këtë turne futbollistët nga Saraji nën udhëheqjen e krye-trajnerit Sherif Sherifi, trajnerit Sadat Ibishi dhe ndihmës trajnerit Kadir Nexhipi dëshmuan profesionalizëm të vërtetë duke dhuruar emocione të papara në fushë për spektatorët e shumtë.
Krahas Kupës Pavarësia, lojtari më i mirë i turneut gjithashtu u zgjodh nga Shkolla e Futbollit Saraj, Metin Lila. Megjithatë edhe futbollistët e tjerë treguan një lojë të mrekullueshme. Vlen të përmendet edhe kontributi i madh i Fidan Ramadanit, Xhenis Xhezairit, Besmir Ismanit, Besar Abdylit, Blerim Limanit dhe Andi Rexhallarit, i cili arriti të shënojë plotë 5 gola.
Trajneri Sherif Sherifi duke mos dashur të komentoj fitoren e arritur u shpreh se në këtë turne të organizuar në këtë ditë të madhe për kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi, në 10 vjetorin e pavarësisë më e rëndësishme ishte pjesëmarrja dhe shoqërimi i fëmijëve mes vete.
“Kosova sot shënon 10 vjetorin e pavarësisë dhe ne bashkë me këto djelmosha të moshës 10 vjeçare këtë fitore dhe këtë Kupë ia dedikojmë shtetit të Kosovës. Urime Kosovë. Urojmë që Kosova të rritet bashkë me këta djelmosha, që sot na bën të ndihemi krenarë”, deklaroi Sherif Sherifi, trajner i FC Saraj.