Të martën në program janë edhe dy ndeshje të tjera të fazës së 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve Europian, ku mejdanin do të ndajnë Çezli dhe Barcelona si dhe Bajerni i Munihut dhe Beshiktashi.
UEFA ka vendosur tashmë edhe emrat e arbitrave që do të ndajnë drejtësinë në këto dy takime. Kësisoj Komisioni përgjegjës i arbitrave pranë shtëpisë së futbollit europian vendosi që turku Xhunejt Çakër të jetë bylbyli kryesor i takimit në “Stemford Brixh” midis Çelzit dhe Barcelonës.
I njëjti kishte ndarë drejtësinë edhe në ndeshjen e sezonit 2011/12 të këtyre dy skuadrave, kur bashkë luajtën në fazën gjysmëfinale. Në ndeshjen e kthimit mes tyre, Çakër kishte ndëshkuar me karton të kuq kapitenin e Çelzit, Xhon Teri në minutën e 37-të, të takimit, pasi ky i fundit pa top kishte goditur Aleksis Sançezin.
Në atë ndeshje edhe përkundër faktit se Barcelona kishte epërsi prej 2 golash (2:0), në fund lejuan skuadrën angleze për të barazuar rezultatin në 2:2, duke u përshëndetur në këtë mënyrë nga garat e mëtejshme.
Arbitri turk gjithashtu kishte drejtuar edhe finalen e vitit 2015-të në Ligën e Kampionëve, kur Barcelona kishte mundur Juventusin me rezultatin 3:1.
Ndërkohë ndeshjen tjetër të së martës midis Bajernit të Munihut dhe Beshiktashit do ta udhëheq arbitri rumun, Ovidiu Hacegan.