Gostivari ka zhvilluar edhe ndeshjen e rradhës kontrolluese në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, ku kjo skuadër futet me shumë entuziazëm dhe dëshirë që në fund të kampionat të sigurojë një vend për në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e trajnerit Mensur Jakupi sot në Gostivar mundi Teteksin, një skuadër tjetër kjo që garon në Ligën e Dytë Perëndim. Gostivari shënoi fitore me rezultatin 2:1, ndërsa sërish në listën e golashënuesve u regjistrua shkupjani Florent Osmani. Një gol tjetër për Gostivarin në këtë ndeshje realizoi edhe Betim Miftari, që të dy golat gjatë pjesës së parë.
Mysafirët nga Tetova golin e vetëm në këtë ndeshje e gjetën gjatë pjesës së dytë. Vlen të theksohet se gjatë shënimit të golave të skuadrës vendase në këtë ndeshje, në të dyja rastet në rolin e asistuesit ishte Fatmir Arifi, teksa goli i sotshëm ndaj Teteksit për Florent Osmanin ishte i 5-ti në 6 ndeshje të zhvilluara me petkun e Gostivarit, transmeton “infOSport.mk”.
Ndeshjen e rradhës kontrolluese të përzgjedhurit e trajnerit Mensur Jakupi do ta zhvillojnë me 24 shkurt kundër Bregallnicës.