Shkëndija ka shënuar fitore 0:3 ndaj FC Shkupit në derbi ndeshjen e javës së 20-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Edhe përkundër dëshirës së madhe të futbollistëve vendas për tu treguar në një pasqyrë më ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ndaj skuadrës tetovare, kjo e fundit falë eksperiencës së madhe dhe mirë koordinimit të skuadrës, në fund nga Shkupi sërish u largua me një fitore të madhe.
Ishte mbrojtësi Ardian Cuculi që paralajmëroi fitoren e “kuqezinjëve” nga Tetova me golin e realizuar në minutën e 33-të, teksa nuk ka si të mungojë edhe dyshja Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi, që shënuan dy golat tjerë gjatë pjesës së dytë.
Kapiteni Hasani realizoi nga pika e bardhë në minutën e 80-të, të cilën e përfitoi Besart Ibraimi, i cili në minutën e 88-të me një goditje precize nga brendia e zonës vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, FC Shkupi – Shkëndija 0:3.
Me këtë fitore Shkëndija vazhdon të kryesojë rehatshëm pozitën e parë me 50 pikë, i ndjekur nga Vardari me 42 pikë, ndërsa FC Shkupi tashmë pozitën e katërt ndanë me Akademia Pandev, që të dyja skuadrat me nga 26 pikë.