Ylli portugez i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Paris Sen Zhermenit, e vlefshmë për 1/8 e finaleve, ka vendosur një rekord të ri në ligën më prestigjioze europiane, Ligën e Kampionëve.
Portugezi falë “dopietës” së shënuar në fitoren 3:1 të Realit të Madridit, arriti në kuotën e 101 golave të shënuar në 8 sezone e gjysmë me skuadrën madrilene, shifër së cilës, po t’i shtohen edhe 15 golat e shënuar me Mançester Junajtedin, e çon në 116 kuotën e golave të tij të shënuar në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Për më tepër, Ronaldo bëhet i vetmi futbollist për momentin që ka arritur në statistika treshifrore përsa u përket golave të shënuar në Ligën e Kampioneve me një skuadër të vetme.
Mirëpo kjo nuk është e tëra, pasi Ronaldo falë dy golëshit të mbrëmshëm, e çon në 7 numrin e ndeshjeve radhazi ku ka arritur që të shënojë gol, duke arritur në këtë mënyrë në shifrën e 11 golave të shënuar gjatë këtij edicioni në Ligën e Kampionëve. Kësisoj me një mesataret prej një goli të shënuar në çdo 57 minuta, ai theurekordin e mëparshëm të Burak Jilmaz me Galatasarajin për gjatë sezonit 2012/2013.