Skuadra e njohur shqiptare e Skënderbeut ka marrë një dënim shembullor nga UEFA. Kishte kohë që flitej se një ekip shqiptar do të dënohej 10 vjet dhe tashmë është mësuar se bëhet fjalë për skuadrën më të suksesshme viteve të fundit të Skënderbeut.
Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s ka vendosur ta dënojë rëndë klubin korçar, duke e përjashtuar nga Kupat e Europës për 10 vitet e ardhshme. Një dënim për shkak të ndeshjeve të dyshuara për trukim.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja “Panorama Sport”, që shkruan se disponon edhe dokumentin e UEFA-s në lidhje me vendimin për përjashtimin e Skënderbeut.
Ka rënë si një “bombë” ky lajm për korçarët, të cilët kanë shkuar dy herë në fazën e grupeve të Europa League dhe tashmë “minohen” të gjitha planet e tyre për të ardhmen. Vendimi mësohet se është marrë që më 7 shkurt nga UEFA dhe kjo është një goditje e madhe jo vetëm për Skënderbeun, por për gjithë futbollin shqiptar.