
Shkupi stinorin pranveror e ka nisur në mënyrën më të mirë. Të besuarit e trajnerit Aridan Nuhiu në ndeshjen e zhvilluar si vendas në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari mundën Akademia Pandevin me rezultatin 5:2, duke bërë një hap të madh drejt TOP4-it.
Figurë qendore te skuadra nga Çairi ishte Bazhe Ilijoski, i cili shënoi “hat-trik” edhe atë vetëm brenda 23 minutave të para. Ilijoski serinë e golave e nisi që në minutën e 7-të, për ta vazhduar atë në minutën e 17-të dhe për ta rrumbullksuar debutimin e tij të ëndërrave me golin e shënuar në minutën e 23-të.
I njëjti futbollist kishte mundësinë që të shënojë edhe golin e katërt në minutën e 56-të, mirëpo goditjen e tij e ndali portieri mysafir Vujanac.
Mirëpo këtë që nuk mundi ta bëjë Ilijoski e bëri në vazhdim të ndeshjes Alen Jasharoski, i cili në minutën e 59-të shënoi për 4:1, duke rikthyer sërish epërsinë prej 3 golave, pas atij goli të shënuar nga ana e Stoilov gjatë pjesës së parë (31’).
Mysafirët nga Strumica në minutën e 71-të shënuan edhe golin e dytë, kësaj rradhe me autorë Grifoni, teksa rezultatin përfundimtarë FC Shkupi 5, Akademia Pandev 2, e vendosi Kristijan Stojkoski në minutën e 79-të, kur mjaft mirë në zbrastirë përfitoi një top nga ana e rezervsitit Shpen Asani.
Me këtë fitore Shkupi zbriti nga pozita e katërt Akademia Pandev, dhe tashmë janë vetë “bardhekaltërit” që mbajnë të njëjtën pozitë me 26 pikë.