Renova gjatë afatit kalimtarë të dimrit ishte mjaft aktive në merkato, ndërsa prurjet e reja kanë pasur edhe kohën e duhur për tu ambientuar me skuadrën “bardhekaltër” nga Xhepçishti që stinorin pranveror e hap në transfertë kundër Rabotniçkit, njofton “infOSport.mk”. Është ky derbi i dytë i kësaj jave midis skuadrave nga Shkupi dhe Tetova, duke pasur parasysh se njëkohësisht në Tetovë, Shkëndija do të luaj me Vardarun.
Kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu thotë se të dyja skuadrat kanë lëvizur në merkato dhe se njihen mirë njëra me tjetrën, por beson se rezultati në fund do flas pozitivisht për skuadrën e tij.
“Shpresojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv, edhe pse mendoj se do jetë një ndeshje shumë e vështirë. Jemi dy ekipe që mendoj se jemi përforcuar gjatë afatit kalimtar dhe pres një ndeshje me shumë vrapim dhe shumë angazhim nga të dyja skuadrat. Jemi përgatitur mirë, e njohim mirë kundërshtarin, ashtu siç na njohin edhe ata neve” – u shpreh fillimisht kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu.
Ai thotë se skuadra e tij në çdo ndeshje duhet të futet si të jetë një ndeshje finale, pasi një gjë të tillë ua komponon edhe pozita aktuale në tabelë dhe pikët që kanë tubuara gjatë gjysmësezonit të parë.
“Çdo ndeshje për ne është si finale, për shkak se në tabelë nuk qëndrojmë mirë, ashtu që çdo pikë për ne është shumë e rëndësishme. Situata është mjaft serioze dhe mu për këtë shkak duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se që nga ndeshja e parë duhet të japim maksimumin dhe të jemi shumë të disciplinuar” – përfundoi prononcimin e tij enkas për “infOSport.mk” kapiteni, Fisnik Nuhiu.
Rikujtojmë Renova pas 18 xhirove të para ka tubuar 18 pikë dhe aktualisht mban pozitën e 8-të, që siguron balotazhin. Në anën tjetër “romantikët” me 23 pikë renditen në pozitën e 5-të, ashtu që nesër në arenën “Filipi i Dytë” pritet një ndeshje shumë e luftuar, me shumë duele, mirëpo jo edhe me aq shumë gola, duke u nisur nga rëndësia e pikëve për të dyja skuadrat.