Lideri aktual në Premierligë, Mançester Siti po shënon rekorde të njëpasnjëshme jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj.
Skuadra e udhëhequr nga strategu spanjoll, Pep Guardiola që ka 16 pikë avantazh kundrejt vendit të dytë që mbahet nga Mançester Junajtedi, është konsideruar si skuadra më e kushtueshme në historinë e futbollit.
Për të ndërtuar skuadrën aktuale, që nga blerja e parë e deri tek e fundit që është spanjolli, Ajmerik Laporte, pronarët e “citizens” kanë shpenzuar shifrën rekord prej 878 milionë eurosh.
Ky është përfundimi i studimit të Observatorit të Futbollit (CIES), që mori në konsideratë kampionatet më të rëndësishëm në Evropë: Premierligë, La Liga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1.
Në klasifikimin e CIES, Mançester Siti kalon vetëm për pak Paris Sen Zhermenin, me francezët që kanë arritur në kuotën e 805 milionë eurove shpenzime, ndërkohë që në shkallën e tretë të podiumit është Mançester Junajtedi, me 747 milionë euro.
Pas “Djajve të Kuq”, në vendin e katërt pozicionohet Barcelona me 725 milionë euro. Përsa i përket mesatares së shpenzimeve për skuadrat në TOP-5 ligat europiane, Premierliga angleze është e paarritshme me 291 milionë euro të shpenzuara për klub, e ndjekur nga La Liga me 131 milionë. Pas kësaj dyshe, vjen “Serie A” me 124 milionë euro shpenzime për skuadër, pastaj Bundesliga me 114 milion dhe së fundmi Ligue 1 me 97 milionë euro.