Husein Demiri debuton me gol te Vëllazërimi i Kërçovës

Vëllazërim i Kërçovës që fazën kryesore të përgatitjeve po e zhvillon në qytetin bregdetarë shqiptarë të Durrësit, sot ka zhvilluar edhe ndeshjen e dytë kontrolluese, njofton “infOSport.mk”.

Ata sot u përballën me skuadrën e Bashkimit të Koretinës që garon në Ligën e Parë të Kosovës, duke shënuar një fitore të thellë 5:1. Gjithçka në këtë ndeshje foli për të përzgjedhurit e trajnerit Nazmi Ajdini, që golin e parë e gjetën me anë të përforcimit të tyre më të fundit, Husein Demiri.

Sulmuesi shkupjan shënoi që në debutimin e tij me fanellën e skuadrës kërçovare falë asistit perfekt të shkupjanit tjetër, Shaban Sulejmani, ndërsa goli i dytë mban firmën e Murat Adilit. Njëherit goli i tij ishte edhe i fundit gjatë 45 minutave të para, që u mbyllën edhe me një gol të shënuar nga ana e skuadrës kosovare. Në pjesën e dytë Vëllazërimi shkëlqeu sërish, duke shënuar tre gola të tjerë. Albulen Imeri ishte i pari që shënoi në këtë pjesë, teksa pas krosimit të Vlorian Ismailit nga rivënia e këndit, njëri prej futbollistëve kundërshtarë shënoi në rrjetën e gabuar për rezultat 4:1.

Rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Vëllazërimi 5, Bashkimi 1, e vendosi Agron Zeqiri. Ky gol për futbollistin e skuadrës kërçovare ishte i veçantë, pasi të njëjtin e realizoi në ditëlindjen e tij.

Rikujtojmë Vëllazërimi në ndeshjen e parë kontrolluese të zhvilluar në tokën shqiptare me rezultatin 3:1 mundi Dukagjinin, një skuadër kjo tjetër që garon në Ligën e Parë të Kosovës.

Leave a Reply