Klivlend Kavaliers ka treguar forcën e vërtetë në një nga ndeshjet më emocionuese të këtij sezoni në NBA, njofton “infOSport.mk”.
Finalistët e sezonit të kaluar mundën Bostonin në transfertë me rezultatin 99:121, në një sfidë që ishte krejtësisht e ekuilibruar në periudhën e parë, por në atë pasardhëse miqtë falë LeBron Xhejms, që e mbylli ndeshjen me 24 pikë, 10 asiste dhe 8 kërcime, morën kryesimin për të mos e lëshuar deri në fund, duke fituar me plot 22 pikë diferencë.
Tjetër sukses për Hjuston Rokets, që kësaj rradhe me rezultatin 104:97 mundën Dallas Maveriksin. Vendasit e bënë diferencën në pjesën e dytë, gjithsesi pa u sforcuar shumë, me Xhejms Harden, i cili këtë ndeshje e mbylli me 27 pikë, ndërsa me lojë të mirë te “roketsat” u dallua edhe Kris Poll, që regjistroi 25 pikë, 9 asiste dhe 8 kërcime.
Nuk zhgënjeu as Oklahoma Siti përballë Memfis Grizlis, që mundi këta të fundit me rezultatin 110:92. Periudha e parë ishte e mrekullueshme për vendasit që në fundin e saj krijuan një diferencë prej 17 pikësh, (35:18).
Ritmi vijoi tepër i lartë, me Grizlis që tentuan përmbysjen në periudhën e tretë, mirëpo që nuk e arritën dot, transmeton “infOSport.mk”.
Në takimet e tjera Sharlot Hornets dështoi ndaj Toronto Raptors, duke u mundur në parketin e vetë 103:123. Atlanta Houks fitoi me vështirësi 118:115 ndaj Detroit Pistons, Indiana Pejsers me rezultatin 121:113 mundi Nju Jorkun, në një takim ku spikati Oladipo me 30 pikë, 9 asiste dhe 8 kërcime, teksa në fitoren e Minesotas ndaj Sakramento Kings 111:106, spikati Touns me 29 pikë, 6 asiste dhe 8 kërcime.
Fitores në ndeshjet e natës së kaluar në NBA iu gëzua edhe Juta Xhaz që si mysafir mposhti Portlandin, edhe atë falë dyshes Mitçel – Ingliz, që realizuan 27, gjegjësisht 24 pikë. Në anën tjetër më i spikatur tek “blejzersat” dhe njëherit i gjithë takimit doli të jetë Lilard me 39 pikë.