Xhudisti kosovar, Akil Gjakova, ka arritur suksesin e tij më të madh në karrierë, duke u stolisur me medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, që është më i rëndësishmi në xhudo.
Ai në finale e mposhti kampionin olimpik, xhudistin nga Gjeorgjia, Lasha Shavdatuashvili, me ‘wazaari’ për ta rrëmbyer medaljen e artë në kategorinë deri në 73 kilogramë dhe për ta shënuar suksesin më të madh në historinë e këtij sporti në Kosovë sa i përket konkurrencës së meshkujve.
Kjo medalje e artë e Akilit vjen si dhurata më e mirë që ka mundur t’i bëhet Kosovës në 10-vjetorin e Pavarësisë.
Për Akil Gjakovën kjo është medalja e dytë e fituar në këtë fillimviti, pasi muajin e kaluar u stolis me medaljen e argjendtë në turneun Grand Prix në Tunizi.
Më herët me medalje të bronztë u stolis xhudistja Distria Krasniqi, duke dëshmuar edhe një herë se sporti i xhudos është krenaria më e madhe e shtetit tonë.
Gjithsesi, merita të mëdha për sukseset e vazhdueshme të xhudistëve tanë i takojnë trajnerit kampion, Driton Kuka, i cili tash e sa vite po bën një punë të jashtëzakonshme. (RTKlive.com)