Në ditën e sotme janë luajtur ndeshjet e javës së 25 në kuadër të “Serie B”.
Me interes kanë qenë disa nga këto ndeshje, pasi aktivizohen futbollistët shqiptarë.
Mbrojtësi kumanovar i kombëtares shqiptare, Naser Aliji, i cili u transferua në merkaton e janarit te ekipi i Virtus Entela luajti titullarë në fitoren 0:1 ndaj Ternanës.
Golin e vetëm për ekipin e ri të mbrojtësit shqiptarë e realizoi La Mantia në minutën e 86-të, mirëpo edhe përkundër kësaj fitore Entella ende gjendet në zonën e rënies nga kategoria.
Me ekipin e Empolit, Federik Veseli e ka nisur si titullar dhe ka luajtur për 90 minuta. Ekipi i tij ka fituar në transfertën e Askolit me rezultatin 1:2, duke marrë edhe njëherë kryesimin e kampionatit.
Ndërkohë ekipi i Barit në të cilën luajti për 90 minuta Migjen Basha, i ka bërë një nder ekipit të Veselit. Bari mundi në shtëpi Frosinonen, e cila ishte edhe kryesuesja e kampionatit. Aktualisht Bari ndodhet në vendin e pestë.