Erkan Seferi dhe Ismet Ceka ishin lojtarët kryesor te skuadra e Futsal Shkupit, që vazhdon marshimin drejt titullit kampion në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Që të dy shënuan 6 gola në fitoren 2:7 ndaj Zhelezarecit në ndeshjen e javës së 15-të, ndërsa një gol tjetër shënoi Ivan Sotirovski.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3:0, ku Ceka hapi serinë e golave, ndërsa bomberi Seferi me dy gola të njëpasnjëshëm bëri që “bardhekaltërit” të sigurojnë një epërsi komode që gjatë 20 minutëshit të parë.
Pjesa e dytë nisi me një gol të Zhelezarecit, skuadër kjo që shumë shpejt pranoi edhe golin e katërt, të cilin e realizoi Seferi. Ishte ky goli i tij i tretë i shënuar në këtë ndeshje, dhe i 7-ti në dy ndeshje, që nga rikthimi i tij në taborin “bardhekaltër”, duke dëshmuar edhe njëherë tjetër cilësitë e tij të larta realizuese.
Me Seferin e rikthyer dhe Cekën në formën e tij më të mirë bashkë edhe me pjesën tjetër të ekipit, Shkupi mirëpret derbin e madh ndaj Velesit, ndeshje kjo që në program është javën tjetër që vjen.