Mogilla nuk vjen parasysh, derbi i Pellagonisë në Shkup!?

Stadiumi i Pellagonisë nuk plotëson asnjë kusht për ndeshje kampionale, ashtu që Pobeda do të duhet të gjejë një alternativë tjetër për të zhvilluar ndeshjet si vendas. Do të jetë ky një hendikap i madh për skuadrën nga Prilepi, e cila gjatë stinorit pranveror do të mundohet që të sigurojë mbijetesën, që megjithatë do ta ketë të vështirë, bazuar edhe në emrat e skuadrave tjera që dëshirojnë ti ikin pozitës së balotazhit, apo edhe dy pozitave të fundit që dërgojnë në Ligën e Dytë, shkruan “infOSport.mk”.

Stinorin vjeshtor skuadra e Pobedës e mbylli në pozitën e 7-të me 19 pikë, një më shumë se Renova në pozitën e 8-të, dhe tre më shumë se Pelisteri në pozitën e 9-të. Pikërisht ndaj këtyre të fundit do të startojnë stinorin pranveror, mirëpo edhe pse si vendas, të njëjtën ndeshje do të duhet ta zhvillojnë në ndonjë qytet tjetër.

Derbi i Pellagonisë për herë të parë në historikun e saj ka gjasa që të zhvillohet në Shkup, në një nga terenet e FFM-së, edhe pse deri më tash asgjë nuk ka zyrtare lidhur me këtë pretendim. Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i drejtuesve të Pobedës, të cilët megjithatë po mendojnë që ndeshjet si vendas ti zhvillojnë në stadiumin “Tumbe Kafe” në Manastir, mirëpo jo edhe ndeshjen e 14 shkurtit ndaj Pelisterit.

Leave a Reply