Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në Qeveri ka zhvilluar takim pune me drejtues të Agjencisë për Rini dhe Sport, federatave sportive, klubet dhe punëtorët sportiv ku është diskutuar rreth masave që duhet ndërmarrë për ngritjen e cilësisë së sportit në Maqedoni. Zaev në këtë takim ka theksuar se duhet të ketë strategji për t’u përmirësuar kushtet në të gjitha sportet e vendit tonë që në të ardhmen të kemi rezultate më të mira në arenën ndërkombëtare. Kryeministri i vendit ka thënë se qëllimi i tij është ndërtimi i një strategjie të mirëfilltë për ngritjen e sportit dhe duke dëgjuar brengat e sportistëve të sillen mekanizma që do të ndikonin që sporti në vend të shkojë përpara.
“Kjo qeveri do të sigurojë përkrahje të domosdoshme në realizimin e kushteve më të volitshme për sport si dhe krijimin e një strategjie të mirëfilltë për sportistët të cilët do të marrin pjesë na gara ndërkombëtare. Sportisët profesionistë dhe njëkohësisht personat sportiv duhet ta marrin vendin e merituar në shoqëri. Këtë detyrë të cilën e kemi marrë duam sinqerisht ta realizojmë, bashkë me Agjencinë për Rini dhe Sport, duke ndërrmarë masat e duhura sa i takon çështjes së finansave, si dhe një plan gjithpërfshirësh logjistik me infrastukturë adekuate për zhvillimin e sportit”, ka thënë kryeministri Zoran Zaev.
Numri një i Qeverisë së vendit gjithashtu ka paralajmëruar heqjen e Ndërmarrjen Publike për Menaxhim të objekteve sportive, duke lënë të kuptohet se edhe stadiumi nacional “Filipi i Dytë” së shpejti do të bëhet me pronar të ri. Si kandidat potencial për të marrë pronësinë e stadiumit shihet Federata e Futbollit të Maqedonisë përmes së cilës edhe UEFA ka investuar në rinovim, ndërsa sipas mediave të caktuara në vend në garë mund të futet edhe KF Vardari që luan si vendas në këtë stadium që prej themelimit.