E ardhmja e futbollistit të Kombëtares shqiptare, Elsaid Hysajt nuk është e sigurtë te Napoli. Jo për shkak të ndonjë problemi mes futbollistit shqiptar dhe trajnerit apo drejtuesve të ekipit. Në një ndërhyrje që ka bërë për “Radio CRC”, agjenti i mbrojtësit të djathtë të Napolit, Mario Giuffredi, ka sqaruar atë që mendon se është e mundshme në të ardhmen, sa i përket karrierës së Hysajt.
“Merkatoja e ardhshme e Napolit do të varet më së shumti nga qëndrimi ose jo i Maurizio Sarrit në pankinë. Tani për tani nuk është koha e duhur për të menduar për verën e ardhshme, pasi të gjithë te Napoli janë të fokusuar vetëm te fitorja e titullit kampion”, është shprehur agjenti Giuffredi.
Kjo deklaratë e tij të bën të mendosh se Hysaj, ndoshta mund të kërkojë një aventurë të re. Ndërsa kërkesat në drejtim të shërbimeve të lojtarit nuk mungojnë, pasi ka pasur shumë klube që në njëfarë mënyre apo një tjetër janë interesuar për gatishmërinë e tij për të ndryshuar fanellë.