Humbja e thellë me shifrat 4:1 në ndeshjen e mbrëmshme të javës së 26-të në Premierligë ndaj Uatfordit që erdhi vetëm pak ditë pas asaj disfate të turpshme në “Stemford Brixh” 0:3 ndaj Burnmaut, ka sosur durimin e presidentit të “Bluve” të Londrës, Roman Abramoviç në drejtim të trajnerit italian.
Prej kohësh raportet mes numrit 1 të Çelzit dhe trajnerit italian janë ftohur ndjeshëm, por tashmë mesa duket bashkëpunimit të tyre po i vjen fundi.
Edhe pse Konte ka edhe 1 vit e disa muaj kontratë me skuadrën londineze, sipas asaj që raportojnë mediat angleze në orët e ardhshme, Abramoviç pritet të marrë vendimin për të shkarkuar nga detyra italianin.
Si pasues të Antonio Konte, pronari Abramoviç ka në mendje dy emra, ish trajnerin e Barcelonës, Luis Enrike si dhe Karlo Ançeloti, i cili në këtë mënyrë do të rikthehej sërish te Çelzi.