Shkëndija me fitore ka mbyllur ndeshjet kontrolluese në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra kampione e vjeshtës në elitën e futbollit vendor zhvilloi fazën kryesore të përgatitjeve para stinorit pranveror, ku futen me të vetmin qëllim, ruajtjen e pozitës së parë dhe rikthimit të titullit kampion në Tetovë pas plotë 7 viteve, shkruan “infOSport.mk”. Shkëndija në takimin e katërt kontrollues të zhvilluar të shtunën përballë skuadrës azere të Gabala shënoi fitore me rezultatin 2:0, me dy gola të shënuar që në pjesën e parë nga ana e dyshes më efikase të tyre, Besart Ibraimi – Ferhan Hasani.
Ishte bomberi kërçovarë ai i cili hapi serinë e golave që në minutën e 8-të, teksa kapiteni Hasani në minutën e 34-të nga pika e bardhë shënoi edhe golin e dytë.
Skuadra e trajnerit Qatip Osmani edhe në pjesën e dytë ishte më kërkuese dhe krijoi shumë raste shënimi, mirëpo në fund rezultatin mbeti ai i pjesës së parë, Shkëndija 2, Gabala 0.
“Kuqezinjtë” kështu pas katër ndeshjeve përgatitore dhe ecurisë pozitive prej dy fitore, një barazimi dhe një humbje, të kënaqur mund të kthehen në Tetovë ku do të vazhdojnë punën deri në startin e gjysmëstinorit pranveror që starton me 14 shkurt dhe kur Shkëndija në Tetovë do të mirëpret rivalin kryesor për titull, Vardarin.