Erkan Seferi është rikthyer shumë fuqishëm te Futsal Shkupi, pas aventurës së tij të shkurtë në futsalin kosovar. Seferi në ndeshjen e tij të parë të këtij edicioni me fanellën e skuadrës së tij të zemrës, shkëlqeu duke shënuar plotë 4 gola në fitoren 1:5 që skuadra nga Çairi e arriti në transfertën në Shtip ndaj Mal Ajaksit.
Bomberi shkupjan thuajse i vetëm mundi ekipin e Mal Ajaks, ndaj së cilës skuadër shënoi tre golat e parë të këtij takimi, me të cilët u mbyll edhe 20 minuutëshi i parë. Seferi realizoi në minutat 10, 16 dhe 17 në pjesën e parë, ndërsa golin e tij të katërt e realizoi në minutën e fundit të takimit, kur edhe vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, Mal Ajaksi 1, Shkupi 5.
Përveç Seferit një gol në këtë ndeshje për Futsal Shkupin gjatë pjesës së dytë realizoi edhe Erol Dalip (34’), teksa golin e nderit për ekipin vendas e realizoi Pero Lefkov (26’).
Me këtë fitore skuadra nga Çairi tashmë ka 33 pikë, një pikë më pak se Velesi i vendit të parë, skuadër kjo që ka edhe një ndeshje më pak. Ndeshjen e rradhës Futsal Shkupi do ta zhvillojë kundër Zhelezarecit, sërish si mysafir.