Mbrëmja e së dielës do t’i dedikohet e gjitha National Football League. Në US Bank Stadium të Minneapolis do të luhet edicioni i 52-të i finales së Super Bowl, mes New England Patriots dhe Philadelphia Eagles, një sfidë që do të mbërthejë para ekranit miliona amerikanë.
Për skuadrën e Patriots kjo është finalja e 10 Super Bowl në historinë e saj dhe ajo do të kërkojë suksesin e 6-të. Kjo e këtij viti do të jetë njëkohësisht edhe finalja e dytë radhazi për të, pas asaj të vitit të kaluar kundër Atlantës. Sfida e së dielës do të jetë edhe ajo e dy Quarterback-eve, Tom Brady dhe Nick Foles, me 40 vjeçarin Brady që do të ketë vëmendjen më të madhe, pasi për të kjo do të jetë finalja e 8 Super Bowl në karrierën e tij.
Super Bowl shoqërohet gjithnjë nga spektakli, ku nuk mungojnë yjet e muzikës botërore. Ndeshja do të fillojë pas ekzekutimit të himnit nga kantautorja Pink, ndërsa në pushimin e ndeshjes do të jetë Justin Timberlake që do të argëtojë të pranishmit në stadium, me 37 vjeçarin që interpreton në një finale të Super Bowl për herë të dytë pas atij të 2004, kur ishte në një duet me Janet Jackson.
Por jo vetëm kaq, për herë të parë në 30 vjet, gjatë zhvillimit të kësaj finale, Trupat ushtarake amerikane Marins do të transetojnë në internet një spot me synimin për të rekrutuar të rinj e të reja që kanë përballuar e fituar sfida gjatë jetës së tyre dhe që kanë aplikuar sporte si mundja apo Rugby. Super Bowl, ngjarja më e madhe sportive në SHBA, do të transmetohet nga rrjeti NBC, madje një spot prej 30 sekondash i kësaj ndeshjeje kushton 7.7 milionë Dollarë. (Top Channel)