Vardari me shumë gjasa do të mbetet edhe pa shërbimet e njërit prej futbollistëve të saj më të mirë, Darko Velkovski. Ky i fundit lidhet me një transferim të mundshëm te skuadra kroate e Rijekës, aty ku luan edhe Leonard Zhuta.
Rijeka muaj të tërë kishte vëzhuguar futbollistin e Vardarit, me të cilin thuhet se kanë arritur marrëveshje paraprake dhe se skuadrës kampione në fuqi të Kroacisë pritet ti bashkohet vetëm pas përfundimit të sezonit aktual.
22-vjeçari Vellkovski pjesë e Vardarit është nga korriku i vitit 2015-të, ndërsa brenda periudhës së kaluar me “kuqezinjtë” ai ka regjistruar 59 ndeshje, duke realizuar edhe 3 gola.
Periudhën e tij më të mirë në karrierë e arriti me fanellën e Rabotniçkit, pjesë e së cilës ishte për 4 vite të plota. Ai me fanellën e “romantikëve regjistroi 115 ndeshje dhe 11 gola të shënuar, ndërsa paraqitjet e tij bindëse bënë që ai vazhdimisht të jetë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë, duke filluar që nga U17, e deri te përfaqësuesja A, për të cilën ka zhvilluar 8 ndeshje.
Darko Vellkovski gjithashtu ishte pjesë e përfaqësueses shpresa të Maqedonisë në Europianin e Polonisë, që njëherit ishte edhe suksesi më i madh në historikun e futbollit të vendit tonë.