Mesfushori i Paris Sen Zhermenit, Lukas Moura do të kalojë në rradhët e Totenhamit. Të dyja skuadrat kanë arritur marrëveshjen për të gjitha detajet rreth transferimit të brazilianit, që kap vlerën e 25 milion sterlinave (28,4 milion euro).
Tanimë mbetet që braziliani të merret vesh për kushtet e tij personale dhe të ju nënshtrohet kontrolleve mjekësore, para se të nënshkruajë kontratën me skuadrën nga Veriu i Londrës.
Që të enjten e kaluar Moura ishte takuar me presidentin e Totenhamit, Daniel Levi. Pas këtij takimi kishte qenë edhe vetë trajneri i “spërsave”, Maurisio Poçetino që kishte thënë se është i lumtur që në skuadër do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e Mouras.
Braziliani 25-vjeçar te PSZH-ja erdhi gjatë vitit 2013-të, ndërsa që nga atëherë ka regjistruar 229 ndeshje dhe ka shënuar 46 gola, duke fituar njëkohësisht 4 tituj kampion dhe 3 Kupa.
Megjithatë këtë edicion Moura luajti në vetëm 5 ndeshje kampionale, duke qëndruar më shumë në stol, gjë kjo që iritoi atë, duke kërkuar edhe largimin nga “Parku i Princërve”. Për Kombëtaren e Brazilit, Moura ka regjistruar 36 ndeshje dhe 4 gola të shënuar.