Shkëndija godet fuqishëm në merkato

Shkëndija më në fund ka treguar fytyrën e saj të vërtetë, kur janë në pyetje transferimet e futbollistëve. Siç mëson “infOSport.mk”, skuadra tetovare është shumë pranë transferimit të nigerianit, Alma Uakili, për të cilin thuhet se “kuqezinjtë” janë pajtuar të paguajnë një dëmshpërblim prej 25 mijë eurosh skuadrës së Trakait.

Gjithashtu jo zyrtarisht mësohet se  në marrëveshjen mes klubeve ekziston një klauzolë, sipas së cilës skuadra lituaneze do të përfitonte edhe 20% nga transferimi i rradhës i futbollistit 21-vjeçar, i cili konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë të krahut të majtë në elitën e futbollit lituanez.

Mirëpo kjo nuk është e tëra, pasi Shkëndija thuhet se ka arritur marrëveshje edhe me FC Prishtinën për huazimin e Visar Musliut, i cili brenda këtyre ditëve pritet të zyrtarizohet si futbollist i skuadrës shumë herë kampione të Kosovës.

Ai madje për disa ditë me rradhë po stërvitet me skuadrën prishtinase në Antalia të Turqisë, aty ku fazën kryesore të përgatitjeve po e zhvillon edhe Shkëndija. Janë këto dy super goditje të skuadrës tetovare, e cila më në fund ka përforcuar edhe një ndër repartet më problematike viteve të fundit.

Leave a Reply