Shkëndija pranë akordit me nigeriainin Uakili

Shkëndija është në kërkim të një mbrojtësi të majtë. Largimi i dy majtistëve, Ivan Çelikoviç dhe Xhelil Asani, si dhe lëndimi i Ardian Cuculit në Antalia të Turqisë, kanë vënë në alarm drejtuesit e klubit tetovarë, të cilët me çdo kusht dëshirojnë të përforcojnë një nga pozitat që viteve të fundit njihet si shumë problematike te skuadra “kuq e zi”, e cila për hirë të së vërtetës ka dështuar në gjetjen e një futbollisti cilësor në krahun e majtë pas largimit të Besir Demirit.

Emri i këtij të fundit lidhej ngushtë me një rikthim te skuadra tetovare, mirëpo ishte grupi i tifozëve “Ballistët” ata të cilët i thanë “STOP” rikthimit të shkupjanit në rradhët e tyre, për shkak se ky i fundit një vit më parë kishte vendosur që të largohet nga rradhët e “kuqezinjëve” dhe të transferohet te rivali i tyre më i madh, Vardari.

E gjithë kjo ka bërë që Shkëndija tashmë të vihet pas një futbollisti tjetër, ndërsa siç mëson “infOSport.mk”, drejtuesit e Shkëndijës tashmë një kohë më të gjatë po përcjellin nigerianin e Trakait, Alma Uakili (Wakili), i cili u kishte lënë shumë përshtypje të mira në dy ndeshjet që kjo skuadër i kishte zhvilluar përballë skuadrës lituaneze në kuadër të turit të tretë eliminatorë të Liga Europa.

Fakti që flitet për një akord eventual mes palëve, lenë të kuptohet se ai ka bindur me paraqitjet e tij, ndërsa edhe pse është në moshë të re, vetëm 21 vjeç, ai vlerësohet si një ndër mbrojtësit më të mirë të majtë në elitën e futbollit lituanez. Mbetet të shihet nëse ditëve në vijim do të ketë ndonjë zhvillim lidhur me transferimin e tij eventual në rradhët e Shkëndijës, skuadër kjo e cila lidhet edhe me emrin e Visar Musliut.

Leave a Reply