Futsal Shkupi shumë i fortë për Astibon

Futsal Shkupi stinorin pranveror në elitën e futsalit vendor e ka nisur me këmbë të mbarë, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Zoran Lekiq në ndeshjen e javës së 13-të mundën Astibon me rezultatin 7:3, duke mbajtur hapin me Velesin në garën për titullin e kampionit.

Ndeshja nuk nisi mbarë për “bardhekaltërit” nga Çairi, të cilët pranuan dy gola të shpejtë, mirëpo më pas gjithçka erdh në vendin e duhur, ndërsa epërsisë së dyfishtë të mysafirëve nga Shtipit, lojtarët e Futsal  Shkupit iu kundërpërgjigjën me 4 gola të njëpasnjëshëm. Ismet Ceka realizoi dy gola në këtë periudhë, ndërsa nga një gol shtuan edhe Bejtulla Jakupi dhe Ivan Sotirovski. Mysafirët sërish u kthyen në lojë, duke zbutur epërsinë e vendasve në 4:3, mirëpo shumë shpejtë erdhi kundërpërgjigjja nga Eroll Dalip, i cili shënoi për 5:3.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa po i njëjti futbollist shënoi edhe golin e 6-të për Shkupin, teksa goli i 7-të i skuadrës vendase erdhi falë një gabimi të lojtarëve të Astibos, të cilët shënuan në rrjetën e gabuar, transmeton “infOSport.mk”.

Është kjo fitorja e dytë brenda një jave e Futsal Shkupit ndaj Astibos, duke pasur parasysh se këto dy skuadra me 20 janar në Shtip u takuan në kuadër të 1/8 së finales. Në atë ndeshje skuadra shkupjane kishte sënuar fitore me rezultatin 1:5, ndërsa rikujtojmë edhe Futsal Shkupi edhe në ndeshjen e parë të këtij sezoni të zhvilluar në Shtip kishte mundur Astibon me rezultatin 5:0.

Leave a Reply