Armend Alimi gjatë stinorit vjeshtor ishte ndër futbollistët më standard te skuadra e Shkëndijës, ndërsa gjithashtu vendin e titullarit ai po e zotëron edhe në ndeshjet kontrolluese të skuadrës “kuq e zi” në Antalia të Turqisë. Ai ishte pjesë edhe e fitores së sotme ndaj Olimpik Donjetskut, në të cilën ndeshje Shkëndija shënoi fitore me rezultatin 4:1.
“Jemi të kënaqur, ishte një ndeshje e mirë kontrolluese. Jemi në një fazë ku jemi të ngarkuar fizikisht shumë, po mundohemi të japim maksimumin që të arrijmë formën optimale tonën, shpresojmë që të vazhdojmë në një ritëm të njëjtë, jemi duke krijuar shumë raste, jemi duke luajtur lojën tonë shumë të mirë dhe shpresoj që do bëhet edhe më mirë” – tha Armend Alimi pas përfundimit të ndeshjes ndaj Olimpik Donjetskut.
Armend Alimi stinorin vjeshtor e nisi mjaf furrishëm, ku në 5 ndeshjet e para realizoi 4 gola. Mbetet të shihet nëse një gjë të tillë do të bëjë edhe fillim të sezonit pranveror dhe nëse do i shënonte sërish Vardarit në ndeshjen e parë të 14 shkurtit.