Super ylli brazilian i PSZH-së, Nejmar nuk duket i lumtur te skuadra franceze. Ai i ka rënë pishman që është transferuar te Paris Sen Zhermeni, dhe është i gatshëm të pranojë pagë më të ulët vetëm të transferohet te Real Madridi, raportojnë mediat franceze.
Fishkëllimat e tifozëve ndaj brazilianit, pasi ky e mori të gjuante penaltinë që e fitoi Edinson Kavani në ndeshjen ndaj Dizhon, e kanë bindur Nejmain që të largohet nga PSZH-ha, shkruan e përditshmja franceze, “L’Equipe”.
Kjo gazetë sportive shkruan se futbollisti u ka thënë shokëve të tij se nuk i pëlqen futbolli në Francë, pasi është shumë difenziv.
Nejmar ndryshe te Reali do të kalonte për një shumë prej 250 milion euro, ndërsa rikujtojmë se verën e kaluar PSZH-ja e transferoi atë nga rradhët e Barcelonës për një shumë prej 222 milion euro.
Drejtuesit e Realit thuhet të kenë mbajtur kontakte me babain e Nejmar, i cili shihet si zëvendësim për Kristiano Ronaldon, për të cilin po flitet se do të rikthehet në Angli te skuadra e Mançester Junajtedit.