Braziliani Huan Felipe është futbollisti i fundit që i është bashkuar Vardarit në përgatitjet për stinorin pranveror. Fantazisti “kuq e zi” iu bashkua ekipit direkt në Antalia të Turqisë, ku kampionët e vendit për disa ditë po zhvillojnë fazën e dytë të përgatitjeve. Felipe në tokën turke kishte arritur gjatë ditës së djeshme, ndërsa sot doli në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës.
Ai morri disa ditë shtesë pushim nga ana e drejtuesve të Vardarit, duke pasur parasysh se ishte aktiv në të gjitha 33 ndeshjet e stinorit vjeshtor, përfshirë këtu ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve, ndeshjet “play-off” si dhe ndeshjet në grupe të Liga Europa, ndeshjet e Kupës së Maqedonisë si dhe ato kampionale.
Ai në një deklaratë për sajtin e klubit tha se përmes stërvitjeve dhe ndeshjeve që do ti zhvillojë skuadra e tij në Antalia, sa më të përgatitur të presin ndeshjet e stinorit pranveror, ku Vardari do të luftojë në dy fronte, atë për titull si dhe për trofeun e Kupës.
Me Felipen në skuadër, Vardari tashmë është i kompletuar dhe i njëjti pritet të luaj minutat e para në ndeshjet kontrolluese në Antalia me datë 27 janar kundër skuadrës ukrainase të Çernomorets Odesa.