Xhani De Biasi ishte trajneri i kuqezinjve në periudhën më të artë të tyre. Fjala është për shkuarjen në finalet e “Euro 2016”, në Europianin e Francës, ku Shqipëria merrte pjesë për herë të parë. Paraardhësi i Panuçit ishte në Tiranë, ku ka vizituar nga afër ekspozitën e FSHF-së, të hapur së fundi në mjediset e Muzeut Kombëtar, dedikuar kësaj arritjeje historike të kombëtares sonë të futbollit. Natyrisht, kjo vizitë ka “rrezatimin” e vet edhe për zgjedhjet e kreut të ri të futbollit shqiptar, ku De Biasi e shpalos hapur afinitetin e vet ndaj Armand Dukës:
“Për mua Armand Duka ka qenë një person shumë i rëndësishëm, ka bërë shumë për sportin dhe të mirën e vendit. Ka eksperiencën për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme botës së sportit në Shqipëri. Është presidenti i duhur, që duhet të vijojë në krye të FSHF-së. Përtej meritave që ne i dime, unë kam pasur një raport të shkëlqyer me atë, pasi gjithmonë më ka lënë të lirë për të vepruar si trajner. Kanë qenë vite të paharrueshme për mua”, ka thënë De Biasi.