Ylli shqiptarë i Stouk Sitit, Xherdan Shaqiri ka treguar detaje nga fëmijëra e tij e vështirë në një rrëfim për mediat zvicerane. Por, përtej çdo vështirësie, mesfushori nga Kosova që luan për Zvicrën tregon se futbolli është pjesa më pozitive që i ka ndodhur në jetë.
Shaqiri ka rrëfyer se në Zvicër, gjatë fëmijërisë së tij e ka pasur vetëm 5 minuta larg fushën e futbollit, aty ku edhe nisi hapat e parë drejt një karriere të suksesshme.
“Kam banuar vetëm pesë minuta larg fushave. Kjo ishte e përsosur për mua. Kështu filloi gjithçka. Ndiheshe i lirë, pa telashe. Mund të luaje si një njeri i lirë dhe ky sigurisht ishte një hap i madh për mua. Kam lindur në Kosovë, një shtet shumë i varfër. Nuk ka shumë vende pune dhe nuk ka shumë para. Shtëpia e xhaxhait tim ishte djegur, këtë e kam parë me sytë e mi. Shtëpia ime mezi po qëndronte në këmbë, por ata kishin vjedhur dhe shkatërruar gjithçka. Kur kthehesh dhe sheh pas luftës gjithë këto gjëra, nis t’i shohësh gjërat ndryshe. Jam i lumtur këtu në Zvicër, ku jemi të sigurt dhe mund të jetojmë në paqe. Jam rritur me futbollin dhe do të pensionohem duke luajtur futboll. Është gjëja më e mirë që ka mundur të më ndodhë”, – është shprehur Xherdan Shaqiri, i cili gjatë këtij edicioni me Stouk Sitin në Premierligë ka zhvilluar 22 ndeshje, duke shënuar edhe 4 gola.