Besir Demiri edhe zyrtarisht është një futbollist i lirë. Shkupjani 23-vjeçar ka shkëputur kontratën me kampionët në fuqi, e cila ishte valide deri me 15 janar të vitit 2020. Lajmin për “infOSport.mk” e konfirmoi vetë Demiri, i cili tha se tashmë shumë shpejt do të vendos për të ardhmen e tij.
“Prej sot edhe zyrtarisht më nuk jam pjesë e Vardarit. Kam shkëputur kontratën dhe jam një futbollist i lirë. Jam në bisedime e sipër me disa skuadra, ashtu që shumë shpejt brenda këtyre ditëve do të vendosi për skuadrën time të re” – tha enkas për “infOSport.mk”, Besir Demiri.
Ai te Vardari erdhi në fillim të vitit 2017-të nga rradhët e Shkëndijës, ndërsa largohet vetëm pas një viti. Demiri me Vardarin luajti në ndeshjet në grupe të Liga Europa si dhe kualifikimet e Ligës së Kampionëve Europian, ndërsa gjatë qëndrimit të tij me Vardarin u paraqit në gjithsej 35 ndeshje.
Burime pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se për shërbimet e 23-vjeçarit interesohen edhe skuadra nga Maqedonia, por gjithashtu edhe nga jashtë. Rikujtojmë emri i tij ditë më parë lidhej edhe me një transferim të mundshëm në kampionatin elitar të Ukrainës, te skuadra e Mariupol.