E quajnë Banush. Është vetëm 14-vjeçar, ndërsa me talentin e tij dhe cilësitë që posedon që në këtë moshë, ai ka kthyer gjithë vëmendjen e shtypit suedez ka vetja. Banush Ibishi është ndryshe emri i tij i plotë, të cilin pa dyshim se do duhet ta mbajmë mend gjithë neve, pasi te ky talent shqiptarët në të ardhmen do të përfitojnë një yll, i cili besojmë se do na sjellë shumë gëzime. Kjo edhe për faktin se dëshira e tij është që një ditë ai të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, nga vendi ku kanë lindur edhe paraardhësit e tij.
“infOSport.mk” duke vazhduar fushatën e saj në zbulimin e talentëve të rinj shqiptarë, arriti që të kontaktojë me këtë djalosh, përgjegjës për të cilin është legjenda shqiptare e futbollit në Maqedoni, Gajur Sadiku.
“infOSport.mk”: Si ka filluar karriera e juaj, në cfarë moshe dhe me cilën skuadër?
Banush IBISHI: “Kam nisur të merrem me futboll që nga mosha 6-vjeçare. Karrierën kam nisur te skuadra e Linderboj FF, pastaj kam kaluar te skuadre LB 07, pjesë e së cilës jam edhe tani, edhe pse një pjesë të karrierës time ka kaluar te Malmö EFF, mirëpo për shkak bashkëpunimit të ndërsjellë që kanë këto dy skuadra unë sërish jam këtu ku jam tani, te LB 07, edhe pse realisht ka shumë skuadra që interesohen, mirëpo për momentin jam mirë këtu”.
“infOSport.mk”: Në çfarë pozite luan Banushi?
Banush IBISHI: “Luaj si sulmues dhe më pëlqen kjo pozitë. Luaj me të dyja këmbët dhe kjo është përparësi për mua”.
“infOSport.mk”: Kemi njohuri se për ju interes ka shfaqur edhe Kombëtarja suedeze, a luani për momentin për Suedinë dhe nëse po, për cilën grup moshë luani?
Banush IBISHI: “Po është e vërtetë që luaj për Suedinë, mirëpo dëshira ime është që të luaj për përfaqësuesen e Kosovës U14- U15″.
“infOSport.mk”: Jeni me origjinë nga Kosova, dhe e flisni shqipen bukur. Nëse do ju vinte edhe një ftesë nga vendlindja e juaj, a do e kishit pranuar?
Banush IBISHI: “Po jam nga Kosova me origjinë, flas rrjedhshëm shqip dhe kam ëndërr të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës një ditë. Një ftesë të tyren do e kisha pranuar me shumë dëshirë.
“infOSport.mk”: Kur jemi te Përfaqësuesja e Kosovës, a ju ka kontaktuar deri më tani dikush nga Federata e Futbollit të Kosovës?
Banush IBISHI: “Po jemi në bisedime e sipër me përfaqësuesen e Kosovës”.
“infOSport.mk”: Sa e ndiqni perfaqesuesen e Kosoves dhe sa njihni futbollistet e saj?
Banush IBISHI: “Po, e ndjek përfaqësuesen e Kosovës dhe shpresoj se një ditë që të gjithë do ti njoh për së afërmi”.
“infOSport.mk”: Po Kombëtaren e Shqipërisë a e ndiqni dhe cilin futbollistë të kombëtares “kuq e zi” pëlqeni?
Banush IBISHI: “Po, gjithesesi se edhe kombëtaren e Shqipërisë e ndjeki, më pëlqejnë të gjithë futbollistët, mirëpo do veçoja Aarmado Sadikun”.
“infOSport.mk”: Cila është endërra e juaj, cilin futbollistë e pëlqeni dhe që keni dëshirë që një ditë të beheni si ai?
Banush IBISHI: “Ëndërra ime është që me përfaqësuesen e Kosovës të fitoj një Kampionat Botëror, ndërsa do doja të bëhem si Zlatan Ibrahimoviç”.
“infOSport.mk”: Po nga futbollistët shqiptarë kë pëlqeni, nga ata që luajnë në Europë?
Banush IBISHI: “Prej futbollistëve shqiptarë më pëlqen Xherdan Shaqiri” – përfundoi intervistën me “infOSport.mk”, talenti 14-vjeçar, të cilit shpresojmë që një ditë ëndërra ti bëhet realitet, të luaj shpejtë si Shaqiri, të shënojë si Ibrahimoviç dhe të ngris futbollin shqiptarë në piedestalin më të lartë, duke u shpallur kampion Bote me Kosovën.