Super ndeshje me 7 gola, Liverpulli i shkakton disfatën e parë Sitit (VIDEO)

Liverpulli  është skuadra që i ka shkaktuar disfatën e parë Mançester  Sitit gjatë këtij edicioni në Premierligë, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse në një moment u mendua se do të jetë kjo një fitore e lehtë e Liverpullit, që në një moment avansonte me tre gola epërsi (4:1), ashtu nuk doli të jetë edhe në fundin e takimit, kur të besuarit e trajnerit Jurgen Klop me të gjitha forcat e tyre mbronin rezultatin 4:3, pas dy golave të shënuar të “citizens” në 6 minutat e fundit të takimit.

Ndeshja në “Enfilld Roud” u zhvillua në një tempo shumë të lartë, ku të pranishmit në fund dolën të kënaqur nga gjithë ajo që panë në fushë nga ana e aktorëve të të dyja skuadrave.

Çembërlejn me golin e shënuar në minutën e 9-të hapi serinë e golave, për të vijuar më pas e njëjta me golin e Leroj Sane 5 minuta para fundit të pjesës së parë. Dy gola të shënuar në këtë pjesë, nga një në secilën anë, ndërsa pjesa e dytë ishte fantastike, me Liverpullin që në një interval kohor prej vetëm 9 minutash, duke shfrytëzuar në maksimum gabimet e mbrojtes së Sitit shënoi tre gola me anë të treshes sulmuese, Firmonjo, Mane dhe Sallah.

Shpresat e Sitit për një moment i rikthyen Berardo Silva (84’) dhe Gjundogan (90+1’), mirëpo pa ndonjë efekt, pasi në fund doli të jetë kjo një disfatë e ngushtë, edhe përkundër dominimit absolut të Liverpullit, sidomos gjatë pjesës së dytë.

Me këtë fitore djemtë e Jurgen Klop barazohen me Junajtedin dhe Çelzin, që të tre skuadrat me nga 47 pikë, që janë në ndjekje të Mançester Sitit, që edhe përkundër kësaj disfate kryeson bindshëm renditjen tabelare me 64 pikë.

 

Leave a Reply