Argjentinasi Llukas Nahuel Oheda është një futbollist i rradhës që i është bashkuar Vardarit në stërvitje, me shpresë se do të bind trajnerin Çedomir Janevskin me cilësitë e tij që posedon. Bëhet fjalë për një futbollist 23-vjeçar i lindur në Buenos Aires, i cili për disa ditë do të testohet nga ana e stafit teknik të kampionëve në fuqi.
Oheda luan si mesfushor ofenziv, ai ka qenë pjesë e një ndër skuadrave më të njohura argjentinase, River Plejt, ndërsa klubi i fundit në të cilin ka luajtur ka qenë, Klub Deportivo Espanjoll nga Buenos Aires.
Argjentinasi siç informojnë nga klubi “kuq e zi” do të udhëtojë me pjesën tjetër të skuadrës në përgatitje në Antalia të Turqisë, ku do të jetë edhe pjesë e ndeshjeve kontrolluese, përmes së cilave trajneri Janevski do të ketë një pasqyrë më të qartë rreth cilësive të tij, pas së cilave do të vendoset nëse do ti ofrohet kontratë ose jo.