Real Madridi humb midis Bernabeut, i thotë lamtumirë titullit (VIDEO)

Kampionët në fuqi të Spanjës, Reali i Madridit vazhdon të largohet edhe më shumë nga titulli i kampionit, sidomos pas disfatës së sotme në “Bernabeu” nga Viljareali, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Zinedin Zidan pësuan disfatë minimale 0:1 në ndeshjen e javës së 19-të.

Pablo Fornals shënoi golin e vetëm për “nëndetësen e verdhë” në minutën e 87-të, gol ky që solli edhe dyshime, nëse kishte, ose jo, pozitë jashtëloje.

“Mbretërit” gjatë pjesës së parë pretenduan për dy penalti, mirëpo arbitri llogariti që nuk kishte të bëjë me një gjë të tillë që në të dyja rastet.

Ishte kjo ndeshja e rradhës në të cilën Reali u paraqit shumë dobët, duke mos arritur madje që edhe të shënojë.

Rastet e “madrilenëve” nuk ishin edhe aq të pastërta, ndërsa gjithashtu ndikoi edhe paraqitja e mirë e portierit, Serhio Asenho.

Kësisoj Reali i Madridit regjistroi edhe ndeshjen e katërt me rradhë, që nuk arrinë të fitojë (3 ndeshje në La Liga dhe një në kuadër të Kupës së Mbretit).

Në këtë mënyrë skuadra e Zidane mbetet 16 pikë larg liderit aktual, Barcelonës, që ndeshjen e javës së 19-të do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme në transfertë kundër Real Sociedadit. Një fitore eventuale e “katalunasve” në këtë përballje, do të thellonte epërsinë e tyre në +19 pikë ndaj rivalëve të përbetuar, të cilët si duket që tani do të duhet të përshëndeten me titullin e kampionit.

Leave a Reply