Filip Petkovski stinorin pranveror do të veshë fanellën e Skopjes, aty ku edhe kishte bërë hapat e parë me futbollin. Sulmuesi shkupjan ka ndërprerë kontratën me Renovën, e cila ishte valide deri në qershor të këtij viti. Lajmin për largimin e tij nga skuadra tetovare na e konfirmoi vetë futbollisti, i cili beson se te Skopje do të ketë më shumë hapësira.
“Pasi ndërpreva kontratën me Renovën, vendosa ti bashkohem skuadrës së Skopjes, pra klubit tim amë. Nga e hëna do i bashkohem grupit. Me Skopjen gjetëm gjuhë të përbashkët shumë shpejtë, ashtu që 6 muajt e rradhës do jem pjesë e tyre. Në rast se arrijmë të sigurojmë mbijetesën, që është edhe piksynimi i skuadrës, atëherë me siguri se do të vazhdojmë bashkëpunimin, në të kundërtën do transferohem jashtë vendit” – tha enkas për “infOSport.mk” sulmuesi shtatëlartë, Filip Petkovski.
Edhe pse si një fëmijë i skuadrës së Skopjes, kjo do të jetë hera e parë që do të luaj për ekipin e parë nga lagja e Hekuranës, ndërsa skuadra e katërt shkupjane pas paraqitjeve të tij edhe me fanellat e skuadrave të Rabotniçkit, Vardarit dhe FC Shkupit.