Edhe përkundër faktit se shumica e njohësve të futbollit, mirëpo edhe disa nga skuadrat italiane dhe gjermane e kanë kontestuar VAR (Video Asistent Referee), ai megjithatë do të përdoret në ndeshjet e Botërorit, “Rusi 2018”.
Një gjë të tillë pritet të vendos Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), që me 22 janar do të diskutojë pikërisht lidhur me këtë çështje në Cyrih të Zvicrës. Ndërkohë thuhet se presidenti Infantino është më se i vendosur që VAR të përdoret në KB “Rusi 2018”.
“Ne duam ta përdorim VAR-in” – ka thënë Infantino, duke pohuar se ky sistem është përdorur tashmë në organizimet e FIFA-s, në Kupën e Botës U-20, Kupën e Konfederatave dhe Kupën e Botës për Klube.
“Ne kemi luajtur pothuajse 100 ndeshje me VAR dhe testi ka qenë më i mirë se sa e kemi pritur”, – ka thënë njëkohësisht edhe Drejtori i IFAB, David Ellery.
VAR-i tashmë është duke u përdorur në Bundesligë, Serie A dhe në kupat e Francës dhe Anglisë. Në fakt, në Itali dhe Gjermani janë bërë pishman që kanë aplikuar futjen e teknologjisë, ndërsa do të jetë kjo hera e parë që FIFA do të organizojë një Botëror me VAR.