Berisha i kënaqur te Vllaznia, e ndërmjetësoi Nafo Rexhepi

Mbrojtësi shkupjan Sedat Berisha tani më disa ditë po stërvitet me skuadrën e tij të re, Vllazninë e Shkodrës. Ekipi i Kategorisë Superiore të Shqipërisë po kryen fazën përgatitore në Ulqin të Malit të Zi, ku ka udhëtuar edhe Berisha menjëherë pas firmosjes dhe prezantimit si lojtar i ri i Vllaznisë.

Ai vlerëson me nota shumë pozitive pritjen që i është bërë te ekipi shkodran, ndërsa duke parë potencialin e ekipit dhe punën që bëhet beson në pranverë pozitive. “Edhe pse ndoshta është shumë herët për të folur, megjithatë përshtypjet e para janë shumë pozitive. Më kanë pritur në mënyrën më të mirë dhe secili mundohet të ndihmojë që të ndjehem sa më i lirë. Në këto ditë që jam këtu kam parë se skuadra ka cilësi, risi jemi unë dhe Xhevahir Sukaj, ndërsa duke shikuar intenzitetin dhe seriozitetin e punës që bëhet këtu në Ulqin, besoj se në pranverë do të kemi paraqitje pozitive”, flet nga Ulqini për InfoSport, Sedat Berisha.

Ai në vazhdim nuk fsheh kënaqësinë që do të luajë në Superioren e Shqipërisë, ndërsa falënderon ata që mundësuan kalimin te Vllaznia. “E ndjek vazhdimisht rrjedhën e kampionatit shqiptar dhe gjithmonë kam dashur një ditë ta provoj veten këtu. Kam patur më shumë oferta, por ja qenka qenë e shkruar të jem i Vllaznisë. Dua me këtë rast të falënderoj ata që bënë të mundshëm realizimin e këtij transferimi, të afërmit e mi dhe menaxherin Nafo Rexhepi që bëri ndërmjetësimin për këtë lëvizje. Do të jap gjithçka të jem në nivelin e duhur për të arsyetuar besimin”, përfundoi Berisha.

Ai do të vazhdojë përgatitjet me Vllazninë në Ulqin, për tu përgatitur për startin e superiores kur më 27 janar në Shkodër presin Kukësin, për të luajtur më pas sërish si vendas me Skënderbeun./InfOSport.mk

Leave a Reply