Renova cakton miqësoret e para

Renova sot edhe zyrtarisht nisi përgatitjet dimërore, që skuadrës nga Xhepçishti do i shërbejnë për ndeshjet në stinorin pranveror, ku do të mundohen të nxjerrin më të mirën, njofton “infOSport.mk”.

Në grumbullimin e parë nën urdhërat e trajnerit Vlatko Kostov, u vu edhe sulmuesi Dejan Cvetanoski, ndërsa ditëve në vazhdim pritet që te skuadra tetovare të arrijnë edhe 2-3 përforcime të reja. Një ndër emrat që përmendet si përforcim i mundshëm i “gjipspunuesve”, është edhe ai i brazilianit Fernando Silva të Pelisterit.

Mirëpo përveç përforcimeve, drejtuesit e Renovës paralelisht janë duke punuar edhe në caktimin e ndeshjeve miqësore, të cilat kryesisht do ti zhvillojnë në fazën e dytë të përgatitjeve në Ohër, ku do të qëndrojnë nga data 23 deri me 31 janar.

Dy ndeshjet e para drejtuesit e Renovës kanë paraparë ti zhvillojnë me datë 24 dhe 26 janar, mirëpo ende janë në kërkim të gjetjes së kundërshtarëve, ndërsa tashmë kanë caktuar dy kundërshtarët e tyre për ndeshjet e 28 janarit kundër Javorit dhe 31 janarit kundër Maçva.

Leave a Reply