Edhe përkundër dëshirës së madhe të Flamurtarit për të angazhuar futbollistin e Kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj, ky i fundit do të mbetet në Itali, mirëpo kësaj rradhe duke qenë pjesë e “Serie B”.
Vlonjati 31-vjeçar ishte kontaktuar nga Flamurtari, që shpresonte të kishte shërbimet e tij për pjesën e dytë të sezonit në Superiore, por pavarësisht insistimit të presidentit Sinan Idrizi, mesfushori shqiptar ka zgjedhur që të vazhdojë karrierën në Itali.
“Corriere Dello Sport” bën të ditur se mbrëmë është arritur akordi mes drejtuesve të Barit e Beneventos, të cilët kanë finalizuar transferimin e mesfushorit shqiptarë, i cili në këtë mënyrë do i bashkohet Migjen Bashës, një tjetër mesfushor ky “kuq e zi”. Memushaj te Bari do të luaj në formë huazimi gjatë 6 muajve të rradhës, me të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të tij nëse Bari siguron një vend për në elitën e futbollit italian.
Aktualisht Bari ndodhet në pozitën e katërt në “Serie B” me 34 pikë, vetëm 5 më pak se kryesuesit e Palermos dhe tre më pak se Frosinone e pozitës së dytë.
Ndryshe sipas mediave italiane zyrtarizimi i transferimit pritet të bëhet në dy ditët në vazhdim.