Përderisa futbollistët e FC Shkupit po zhvillojnë fazën e parë të përgatitjeve në ambient të mbyllur, drejtuesit e skuadrës nga Çairi ka caktuar edhe ndeshjet kontrolluese që ekipi i tyre do ti zhvillojë gjatë qëndrimit 15 ditor në Antalia të Turqisë, ku “bardhekaltërit” kanë paraparë të zhvillojnë fazën kryesore të përgatitjeve.
Për në tokën turke skuadra nga Çairi do të udhëtojë më datë 22 janar, ndërsa ndeshjen e parë Shkupi do ta zhvillojë me 25 janar kundër kampionit të katërfishtë të Azarbejxhanit, Karabag.
Ndeshjen e dytë dhe të tretë FC Shkupi do të ketë për kundërshtarë dy skuadra që garojnë në Premier Ligën e Ukrainës, FC Stal Kamianske dhe Çernomorets Odesa, ndeshje këto që do të zhvillohen me datë 27 janar dhe 2 shkurt, ndërsa me 30 janar “bardhekaltërit” do të takohen edhe me skuadrën e ligës së dytë të Hungarisë, Csákvári TK. Ndeshjen e fundit në kuadër të fazës së përgatitjeve në Turqi, Shkupi do ta zhvillojë me 4 shkurt, kur për kundërshtarë do të ketë skuadrën e njohur ruse të Anzhi.
Mirëpo kjo nuk është e tëra, sa u përket ndeshjeve kontrolluese, pasi trajneri Ardian Nuhiu dy të tilla do të zhvillojë edhe në Maqedoni, ku veçmë të parën e ka caktuar për datën 14 janar, kur të përzgjedhurit e tij do të përballen me ekipin e të rinjëve të FC Shkupit, ndërsa me 18 janar është kontrolluesja e fundit, ku së shpejti pritet dhe konfirmimi i skuadrës kundërshtare.