Mevlan Adili javë më parë në mënyrë konsensuale prishi marrëveshjen me skuadrën rumune të UTA Arad, duke u rikthyer në futbollin tonë vendor dhe duke nënshkruar kontratë me Shkëndijën, njofton “infOSport.mk”.
Adili pjesë e skuadrës së UTA Arad u bë janarin e vitit të kaluar, ndërsa vetëm brenda një viti të kaluar te kjo skuadër, ai arriti që të rrëmbejë zemrat e tifozëve dhe drejtuesve të skuadrës, të cilët me rastin e largimit të tij nga Rumania, në shenjë respekti përmes një urimi në faqen e tyre zyrtare kanë falënderuar futbollistin shkupjan për kontributin e dhënë brenda një viti.
“Faleminderit, Mevlan Adili
Këtë dimër, klubi ynë u nda me Mevlan Adilin, futbollistin nga Maqedonia që në Arad arriti një vit më parë. Adili ka hyrë shumë shpejt në zemrat e të gjitha fansave të ekipit tonë, duke u bërë një nga futbollistët më të dashur të skuadrës sonë. Në këtë mënyrë, ne duam të falënderojmë për gjithë kohën që kaluam bashkë, duke i uruar njëherit edhe shumë suksese!” – qëndronte në shkrimin e skuadrës rumune, të publikuar në faqen e tyre zyrtare.
Adili me fanellën e UTA Arad brenda një viti të kaluar zhvilloi 23 ndeshje, duke shënuar edhe një gol. Adili, i cili në Maqedoni ka luajtur edhe me FC Shkupin me Shkëndijën ka firmosur për një vit e gjysmë.